[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

“Tërmet” në MPJ, ministrja Haradinaj i kthen nga shërbimi i jashtëm 50 diplomatë të karrierës



Botapress, 11 Korrik -Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se është vendosur që të kthehen 50 diplomatë të karrierës nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore.
Pak ditë pasi pezulloi vendimet e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haradinaj-Stublla ka bërë të ditur se bazuar në rekomandimet e komisionit për vlerësim të të gjitha vendimeve të ish-ministrit, është vendosur që në MPJD të kthehen 50 diplomatë të karrierës.
“Bazuar në rekomandimet e këtij komisioni dhe në kompetencat e mia ligjore, kam nxjerrë vendime të reja, duke përmbyllur fazën e parë të rotacionit në Shërbimin e Jashtëm. Pikërisht me synimin e realizimit të parimit ligjor të procesit të rotacionit ‘një në Shërbim, një në Ministri’, është vendosur që nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore këtë vit të kthehen në MPJD pesëdhjetë (50) diplomatë të karrierës”, ka njoftuar ajo në Facebook.
Ajo ka shtuar se procesi do të përfundojë për pak javë. Sipas saj, me vendimet e reja “përveç kthimit të ligjshmërisë dhe parandalimit të defunksionalizimit të Shërbimit të Jashtëm, po ashtu kam qartësuar gjendjen juridike, e cila rrezikonte shkaktimin e dëmit eventual të pariparueshëm për MPJD-në”.
“I gjithë procesi do të përfundoj për pak javë meqë kemi filluar edhe fazën e dytë të rotacionit, për të cilën Komisioni po vazhdon punën në propozimet, intervistimet dhe konsultimet për dërgimin në misione diplomatike dhe konsullore ata anëtarë të Shërbimit të Jashtëm që i plotësojnë kushtet për t’u dërguar në mision jashtë vendit. Ritheksoj që asnjëherë, gjatë këtij procesi pjesë e vendimeve të pezulluara dhe vendimeve të nxjerra, NUK JANË vendimet e katërmbëdhjetë (14) konsujve të shkarkuar”, ka thënë ajo.

“I falënderoj diplomatët që kthehen, për shërbimin dhe punën. Pres nga ta që gjithë eksperiencën e tyre në misionet jashtë vendit, ta sjellin në MPJD, në mënyrë që ta vendosim në lartësinë e duhur, shërbimin dhe politikën e jashtme të shtetit tonë”, ka përfunduar ministrja e Punëve të Jashtme.

Menu Title