[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Teuta Haxhijaj: Për ujin që e desha shumë, e që Ty ta mori jetën vëllau im i dashur!



Kurrë nuk munda ta di pse ujin dhe shiun i deshta gjithmone aq shume. E kurrë nuk do te mund ta paramendoja se pikerisht uji do te jete ai qe do ta shuante jeten tende.
Keto po i mendoja rruges duke ecur ngadal pas funeralit tend, asaj rruge ku kishim kaluar aq shpesh si femije, atehere kur bota per ne ishte ende ne rregull. Ti po e kaloje kete rruge per here te fundit ate dite…
Aq shume njerez rreth varrit tend te hapur, disa nga ta ishin rritur bashke me ty. Aq shume burra ishin mbledhur dhe secilin qe e shikoja ishte duke qarë. Nuk isha mesuar te shihja burrat te qanin me lotet si gurra. Syte e mi kerkonin babën tonë qe ishte ne mesin e vellezerve tjere tonë. Iu afrova pa thene gje… ” E bijë” me tha ” mos me korit me kajtë ketu para gjithe ketyre burrave, e di dhimbjen por kjo eshtë jeta dhe kjo eshte vdekja” me tha.
Afer varrit tend ende te hapur qendroja dhe nuk qaja. Nuk kam qajte per shume arsye, nuk kam qajte se nuk doja qe as edhe nje lot i vetem i imi te ta rendoj shpirtin tend ne boten tjeter se mjafte ishte i renduar ne kete botë. Jo nuk do te qaja, se te qava aq shume sa ishe gjallë…ditë e natë. Se gjithmonë thoja se kush qanë per vdekje, kurrë mos kendoftë. Keshtu kam thane shpesh se ne perjetuam gjera me te rënda se vdekja vet, se vdekjen nuk e njihja ende, se nuk e dija sa dhemb ajo.
Ende qendroja prane varrit tend te hapur dhe dhimbja qe ndjeja me dukej qe do te mund t’i bente copë e grimë edhe ato bjeshke krenare qe i kisha perballë. Por jo, nuk kam me qajte se e dija qe shpirti yt me shikon dhe nuk doja te te merzitja ty. Ende me duket qe i degjoj lopatat qe hidhnin dhe mbi arkivolin tend e une shterngoja zemren me duar se me dukej qe kallej hi e pluhur, qe ishte ba dhe i zi, njejte sikur ai dhe qe po mbulonte trupin tend, vëlla. Por jo, nuk derdha lotë se ata i derdha sa ishe gjallë. Iu afrova prap babës tonë “Zoti te lashtë shëndosh, babë, i paq te tjerët” i thash me ate zë qe me dukej qe nuk ishte i imi dhe ia ktheva shpinen qe te mos e shihja ate dhimbje te madhe ne syte e tij. Paj, a ka dhimbje ma te madhe sesa kur baba varros djalin e tij, sugarin e tij?! Dhe prap del ne kryeshendosh dhe i falenderon burrat e dheut qe kishin ardhe te ta bejne nderimin e fundit, vella, e qe shume prej tyre vazhdonin te qanin. E une vazhdoja te mos qaja as atehere kur u perkula prane varrit tend dhe t’i thash dy fjalë: “bëma hallall, vella, e falëm per ndonje gabim qe kam mujtë me ba me ty per keto 22 vjet e te qoftë hallall mundi qe e kam ba per ty. Zoti pastë meshirë per shpirtin tënd ne ate botë sepse ne kete bote nuk pati meshirë per ty”.
Dhe jo, prap nuk qava. E si me qajte kur lotet do t’i ngjanin ujit ne te cilin ti e dorezove shpirtin, ujit, te cilin kurre nuk do te mund ta dua me. Dhe jo, nuk te vajtova, vëlla, as nuk te gjykova per vendimin tënd ani pse do te kisha drejte te hidherohem ne Ty per kete tradheti qe ma bere, se une isha mesuar te me tradhetonin te tjeret por shpresoja qe ti te mos me tradhetosh, vella, te mos ikësh kështu. Në mos per asgjë, eshtë dashur per hater timin te mos e marresh atë rrugë…por une prap nuk te gjykoj, prap te fali dhe te dorezoj nga duart e mia ne duar te Zotit.
Do të shihemi, vëlla kurdo qe e ka thanë Zoti te te shoqëroj ne botën tjeter e deri ateherë do te mundohem m’i ba ballë kesaj jete te poshtër te ciles ti nuk i bere ballë.
Perjetesisht me Ty…

Menu Title