[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Teuta Haxhijaj: Vdekja dhe të tjerët në QKUK



Ashtu sikur përshendetja e parë dhe mirseardhja që i bëhet fëmiut kur vije n‘këtë botë, ashtu i bahet apo thënë ma mirë ish dashte me ju ba përshendetja e fundit edhe asaj dhe atij që po largohet nga kjo botë.

Dhe disi të dyja rastet janë të lidhura me lotë, të cilët, ani pse janë të njëjtë nga përbërja dallojnë në shije mjalti dhe helmi.  Por, qysh po thonë, kjo është jeta dhe duhet me marrë qysh t’vjen se me ndryshu nuk mundemi edhe ashtu asgja.

Një përjetim të tillë të randë te përshendetjes se fundit, e pata para 18 ditësh kur me vdiq gruaja e vëllaut ne repartin e Hämatologjisë ne QKUK. Kanë me kalu edhe vite të tëra dhe unë nuk kam me mujtë me i harru ato skena, ftyrën e saj dhe para se gjithash fytyrat e pacienteve të tjera per rreth, shikimet, lotet e tyre dhe familjarëve të tyre.

Do të mundohem me përshkru pak a shumë atë qe nuk pershkruhet me fjalë:
Pacientja, gruaja e vellaut tim, ishte pranuar si rast i rendë ne repartin e Hämatologjisë ditën e martë në mesditë ngase kanceri kishte avancuar shumë dhe shpejtë brenda tri javësh thuaja.

Gjendja e saj perkeqesohej ne menyrë rapide për çdo orë dhe edhe përkundër përpjekjes maksimale te stafit mjekesor, mundësia me ba diçka kundër ishte zero. Kjo na ishte ne familjarëve e ditur, dmth. prisnim fundin e saj.

Bashkë me Afërditën, keshtu quhej e shtrenjta jonë, ne te njëjtën dhomë ishin te shtrira edhe 7-8 paciente te tjera, sipas informatave te familjareve te tyre te gjitha te prekura nga kanceri, te cilat ishin per momentin aty per me marre Chemotherapinë apo per trajtim të metutjeshëm.

Dhe në mesin e tyre ishte Afërdita, pacientja që veç kishte fillu me marrë rrugën e vet por megjithatë po luftonte kundër vdekjes e edhe atë në sy dhe prani te pacienteve tjera dhe familjarëve të tyre, të cilët qanin fshehurazi.

Nuk du as me paramendu gjendjen shpirterore te atyre pacienteve të cilat po e shihnin me sy luftën me vdekjen, rënkimet, lotët, thirrjet… dhe secila nga ato ishte po ashtu e prekur nga e njëjta sëmundje por ndoshta të formës tjetër.

Mundem veç me marrë me mend se çka kanë mujtë me mendu ato ne ato momente dhe qe secila nga to ndoshta e ka parë vetën ne një të neserme të afërt pikërisht në atë shtrat te Afërdites dhe në atë luftë.

Shikimet e tyre plot dhembshuri dhe pyetje „ a thu ndoshta unë do jem nesër në radhë“ ta këputshin shpirtin. Se sa negativisht ndikon një përjetim i tillë në shëndetin e tyre nuk kam nevojë me cekë tu e ditë se sa e rëndesishme është ana psiqike në luftimin e kësaj sëmundje dhe jo vetëm të kësaj.

Për rrafsh 48 orë, nga e martja e deri të enjten kur Afërdita mori frymë për herë të fundit, ato paciente e kanë parë atë luftë me sy, atë tmerr, ata lotë, ato përqafime të fundit dhe në fund ftyrën e vdekjes. Dhe po ju them, me vdekë nuk ish lehtë.

Ne si familjarë, qe ishim te shumtë në numër, mundoheshim me ba njefarë „muri“ që do të mbronte edhe pacientet tjera nga ajo qe shihnin por edhe sferën private te pacientës që po vdiste, ngase nuk ishte etike të „prezantohej“ ashtu e zbuluar para syve te gjithë te tjerëve. Ajo vet nuk mbrohej dot më 😢😢
Megjithatë, e gjithë kjo situatë binte ne kundërshtim me sjelljen e mjekëve dhe të gjithë stafit, sjellja e të cilëve ka qenë shumë njerëzore dhe shumë profesionale.

Për 48 orë i kanë qëndru afër dhe ishin të durueshëm ndaj ne familjarëve qe na kishin lëshu nervat nga dhimbja, pagjumesia, nxehtesia dhe disi indirekt prisnim nga ta të benin ndonjë mrekulli. Por edhe ata janë njerëz veç.

Krejt çka du me thanë, është një lloj kërkese, një lloj thirrje, që natyrisht nuk do të ma dëgjoj askush ngase unë nuk jam e „njohur“, që të ndryshojnë diçka pikërisht në kete drejtim, që të paktën herave tjera të mirren në konsideratë ndjenjat shpirtërore edhe të pacientëve të tjerë dhe familjarëve të tyre.

Nëse qytetarëve tuaj nuk ua mundësoni me jetu, mundohuni me ua mundësu bile me vdekë dinjitetshëm, bile orët e fundit të jetës t‘i kalojnë në qetësi dhe në ambient ku familjarët mund të përshendeten për herë të fundit… 😔
Secili njeri e meriton të paktën këtë.

Menu Title