.
×

Ura e Arastës pret ndërhyrjen artistike të arkitektit Senat Haliti



Myrfet SHASIVARI- Botapress, Prizren

Në suazat e projektit “Aktivizimi kulturor dhe urban në Prizren” arkitekti Senat N. Haliti është shpallur fitues në një konkurs të hapur për rivitalizimin e Urës së Arastës. Punimet në fjalë, sipas ideve të arkitektit Senat Haliti, do të fillojnë dhe përfundojnë brenda muajit nëntor të këtij viti, përderisa do të financohet nga OJQ “Ec ma ndryshe”, Cultural Heritage Withaut Borders, por edhe me ndihmën e ndonjë donatori që do të paraqitet në ndërkohë. Fati i këtij monumenti të trashëgimisë së Prizrenit, është paksa i çuditshëm; ura e vjetër e Arastës nuk ekziston më. Supozohet që kjo urë është ndërtuar në mes të shekullit të XVI-të dhe ndonëse i mbijetoi zjarrit të qershorit të vitit 1853, ajo u dogj plotësisht gjatë zjarrit të vitit 1913. Pas djegies, u rindërtua përkohësisht me dru, për t’u rrënuar dhe rindërtuar me betonarme në vitin 1936. Prej atëherë, kjo urë ka krijuar identitetin e vet nga zhvillimet e vazhdueshme në faza të ndryshme përbrenda kësaj periudhe të shkurtër historike (në më pak se një shekull). Ky identitet mund të lexohet veç tjerash edhe përmes transformimit të vazhdueshëm të emrit, duke filluar me Ura e Arastës, për të vazhduar me Ura e Re, Ura e Therandës, Ura e Gjermanëve, apo Ura e KFOR-it.