.
×

Vendi ka hyrë në një bllokadë totale



Zgjidhja e ngërçit politik gjendet në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar presidentja, Atifete Jahjaga, kur i është referuar situatës politike në vend.

Megjithatë Jahjaga, ka thënë se as në këtë rast roli i presidentit nuk do të mungojë aty ku do të jetë e nevojshme.

“Unë deri më tash si gjithmonë kam ushtruar rolin tim kushtetues dhe ligjor. Unë inkurajojë deputetët e Parlamentit të gjejnë zgjidhje, zgjidhja është brenda Kuvendit të Kosovës. Unë do të veproj dhe intervenoj, siç kam vepruar gjithmonë, në momentin kur kërkohet intervenimi i Presidentes së vendit. Ftoj edhe njëherë deputetët dhe subjektet politike të veprojnë dhe gjejnë zgjidhje brenda Kuvendit dhe veprimet e tyre të jenë ashtu siç e kërkon Kushtetuta, vendimi i Gjykatës si dhe siç e meriton vet ky proces”, tha ajo.

Liderët e Bllokut dje deklaruan se janë të gatshëm që t’i përgjigjen një ftese të mundshme të Presidentes. Por, zëdhënsi, Arbër Vllahiu, në përgjigje të mëhershme për RTK-në pati thënë se presidentja mund ta luajë rolin e lehtësueses në diskutimet me forcat politike, në rast të rrezikimit të proceseve demokratike. Por, rikujton se deputetët duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen brenda Kuvendit.

Por, cilat janë mekanizmat ligjorë nëse kandidati PDK-së nuk votohet për kryeparlamentar.

Analisti Artan Muhaxhiri, tha për RTK-në se tanimë vendi ka hyrë në një bllokadë totale dhe si zgjidhje ai sheh vetem bisedimet ku të dyja blloqet duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhje, qoftë për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme qoftë për krijimin e institucioneve të reja.

Zhbllokimi i kuvendit nuk mund te zgjidhet pa ulen e te dyja blloqeve qoftë për shpërbërje qoftë për krijimin e institucioneve të reja. Për këtë arsye duken shumë të pa kuptimta këto hezitime për arsye se pa takime kok me kok nuk ka zgjidhje”, tha ai.

Zgjidhjen e kësaj situate Muhaxhiri, nuk e sheh përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme sepse ai thotë se nëse ndodhë që të shkohet në zgjedhje në këtë kohë atëherë, do të ashpërsohet fjalori politik dhe do të ketë tensione.

“Mund të kemi probleme edhe më të mëdha në zgjedhje të ardhshme është e sigurt se në këto zgjedhje do të krijohen tensione të mëdha dhe nuk janë të mirëpritura nga askush. Por nëse vetëm nuk kemi zgjidhje atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme janë si opsion për të dal nga kjo gjendje”, tha ai.

Institucionet e Kosovës kanë organizuar zgjedhjet parlamentare me 8 qershor. Tanimë janë bërë 3 muaj nga mbajtja e tyre dhe ende nuk kemi institucione të reja.

Pas deshtimit të seancës konstituive të 17 korrikut dhe vendimit të gjykatës kushtetuese, vazhdimi i kësaj seance ishte caktuar me 12 shtator, por para pak ditëve Lista Serbe, kërkoi shtyrjen e kësaj seance për 18 shtator, kërkesë e cila u kritikua nga partitë e bllokut për siç thanë zvarritjen edhe më tej të procesi të krijimit të institucioneve të reja. /RTK/