.
×

Vjollca Aliu: Labirint kujtimesh



Mendimet e netëve pa gjumë,

po m’i mbushin kujtimet pa fund.
Sonte s’dua të më tregosh asgjë,
sonte dua të jem në qetësi.

Pranë teje jam e me ty s’jam,
pranë detit jam e etje kam.
Si deti i trazuar mendimet më kanë kapluar,
sonte asgjë s’mund të shkruaj,
lotët lagin sytë, por unë s’do të përlotë
vargjet e as mendimet.

Nganjëherë sikur mbetesh kometë bredhëse hapësirës qiellore,
lë vetëm gjurmë mashtruese drite,
dritë për sytë që shohin
vetëm kur i druhen natës.

Por, prap duhet jetuar,
edhe kur gulçimi zgurdullon sytë
e shikimi mjegullohet,
edhe kur mendja harrohet
labirintit të kujtimeve.

Hëna ndriçon kurorën e luleve vjollcë
e unë përpëlitem në ëndrrat mikluese,
shpirti le ta ndjejë imazhin e lumturisë
e drita le ta ndriçoj mendjen përgjumëse.