[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vjosa Osmani së pari shpalli zgjedhjet, pastaj shpërndau Kuvendin



 

Vetëm pak orë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për votimin jo-kushtetues të Qeverisë Hoti, më 6 janar 2021 ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Për dallim nga ky vendim që u bë publik nga vetë Presidenca, deri më sot askush në publik nuk e ka parë një dekret që shpërndan Kuvendin e Kosovës, që sipas Kushtetutës duhet t’i paraprijë shpalljes së datës së zgjedhjeve, nga ana e Presidentit të vendit. Në Zyrën e U.D. të Presidentes pretendojnë se ka Dekret për shpërbërje të Kuvendit, por se numri i protokollit të cilit i referohen ata për dekretin në fjalë zbulon se ai është nxjerrë nga e njëjta zyrë pas Vendimit për Shpalljen e Zgjedhjeve.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ shkruan se prej ditësh është duke kërkuar në Zyrën e Ushtrues së Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe në atë të Kuvendit të Kosovës, dekretin për shpërbërjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Por, i njëjti dokument që do të duhej të ishte publik, dhe sipas ligjit i botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, nuk i është ofruar gazetës.

Në interesimin nëse ka dekret për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, Bekim Kupina, këshilltar për Media i Vjosa Osmanit, pohon se kjo e fundit, si u.d. e Presidentes së vendit më 6 janar 2021 ka nxjerrë dekretin nr. 03/2021 për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për votën në Kuvend të ish-deputetit të dënuar Etem Arifi.

“u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Rastin KO95/20, pas konsultimit paraprak me subjektet politike, dhe duke u mbështetur në dispozitat ligjore dhe praktikat paraprake, para shpalljes së datës së zgjedhjeve e ka shpërndarë legjislaturën e shtatë, përmes Dekretit nr.03/2021, të datës 6 janar 2021”, thotë Kupina në përgjigjen e tij me e-mail.

“Pas nxjerrjes së Dekretit, është pasuar me Vendimin për shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shton ai në përgjigjen e së martës.

Por, i njëjti sikurse në e-mailin e parë të gazetës, ashtu edhe në dy e-maila tjerë’, nuk është përgjigjur në kërkesën për të bashkangjitur si dokument dekretin e Presidencës për shpërndarjen e Kuvendit, të cilit i referohet edhe ai vetë në përgjigje.

Por, për dallim nga Dekreti, i cili sipas ligjit, do të duhej të ishte i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, Presidenca qysh në njoftimin e shpalljes së zgjedhjeve, të datës 06 janar 2021, publik ka bërë vetëm vendimin për caktimin dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vendimi në fjalë mbanë numër protokolli 02/2021, që është numër paraprak me atë të dokumentit 03/2021 të cilit i referohet Kupina në përgjigjen e tij, ndonëse sipas tij Dekreti është nxjerrë para dhe pastaj ka pasuar Vendimi që është publikuar nga vetë Zyra e u.d. Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Numri i protokolli nxjerr në pah se pa marrë parasysh ditën, Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është nxjerrë para se të nxjerret Dekreti për shpërbërje të Kuvendit. Madje, dokumenti i fundit nuk është botuar ende në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, që sipas ligjit në Kosovë secili akt hyn në fuqi pasi të jetë bërë një gjë e tillë, për dallim nga vendimi 02/2021 që është publikuar menjëherë me 06 janar 2021.

Për më tepër, tek dekretet në Gazetën Zyrtare, të vitit 2021 nuk është i publikuar asnjë akt i tillë nga Presidenca, rrjedhimisht viti 2021 nuk ekziston i krijuar ende si kategori. I njëjti akt nuk gjendet as në faqen e Presidencës së Kosovës

Por për dallim nga ana e Zyrës së Kryeparlamentares dhe tash u.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Zyra e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës, prej të hënës e deri më sot nuk kanë dhënë sqarime rreth kësaj situate, përkundër insistimit dhe ripërtëritjes së pyetjeve.

Kjo zyrë nuk ka treguar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ nëse kanë pranuar dekretin për shpërbërje e Kuvendit dhe nëse rast se ka ndodhur një gjë e tillë, kur ka shkuar dokumenti aty.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës nuk ka sqaruar as nëse në rast se nuk ka dekret për shpërbërje të Kuvendit nga ana e Presidencës, a mund të konsiderohet i shpërndarë Kuvendi pas shpalljes së zgjedhjeve.

Se Kuvendi duhet të shpërndahet, sipas rregullimit Kushtetues, me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetues së Kosovës, e thekson edhe gjykata Kushtetuese në aktgjykimin për rastin KO95/20, për votimin e 3 qershorit në Kuvend, të Qeverisë Hoti.

Aty, Gjyqtarët Kushtetues që në unanimitet shpallen jo-kushtetuese Qeverinë Hoti, shprehimisht theksojnë se Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj nuk i ka ndërprerë mandatin Kuvendit në mënyrë automatike.

“Në fund, Gjykata gjithashtu sqaron se konstatimi që Vendimi i kontestuar i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, nuk rezulton me shpërndarjen automatike të Kuvendit.”, Kushtetuesja në pikën 286 të vendimit të saj i publikuar i plotë më 6 janar 2021, i shpallur 16 ditë para, më 21 dhjetor 2020.

Paragrafi 3 i Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, që rregullon Zgjedhjen e Qeverisë, të cilit i referohet gjykata thotë se “Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, e që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur më 3 qershor 2020.

Rrjedhimisht, aktgjykimi konsideron se me mos përmbushjen e këtij neni, në rastin e votimit të Qeverisë Hoti është konsumuar edhe paragrafi 1 i këtij neni që parasheh se “1. Kuvendi shpërndahet në këto raste: (1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;”.

Ndërkohë, “Data e Shpalljes së Zgjedhjeve” rregullohet me nenin 4 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme në Kosovë, ligj të cilit i referohet zyra e Osmanit edhe në vendimin e 6 janarit 2021 për shpalljen e zgjedhjeve.

Paragrafi 5 i nenit 4 të këtij ligji tij përcakton se “Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat.”, transmeton Botapress.info

Menu Title