.
×

VV kërkon rritje të koeficientit të pagave për punëtorët e arsimit



Lëvizja Vetëvendosje dje ka dorëzuar amendamentet për ligjin për pagat në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar rritjen e koeficientit të pagës për punëtorët e arsimit, të përmirësohet renditja dhe kategorizimi i të gjithë punëtorëve në institucionet parashkollore, të mos ketë zbritje pagash për mësimdhënësit që janë pranuar sipas legjislacionit në fuqi e disa kërkesa të tjera.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një publikimi në Facebook, shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

“Në emër të LV! dje dorëzuam Amandamentet për Ligjin për Pagat.

Të gjithë punëtorët e Arsimit duhet të trajtohen në mënyrë meritore dhe me drejtësi. Është e papranueshme për ne që ligji i ri parasheh rritje të pagës për, deputetët, presidentin e qeveritarët përderisa punëtorët e arsimit renditen me pagë më të ulët madje edhe se shoferët dhe ata që punojnë si mbrojtje e afërt e qeveritarëve.

Ne kemi kërkuar ndër të tjera:

Rregullimin dhe ngritjen e koeficienti të pagës për punëtorët/nëpunësit e sistemit të arsimit duke respektuar parimin e pagës së barabartë për punën në funksionin, pozitën apo gradën e njëjtë apo të krahasueshme.

Të mos ketë asnjë ndëshkim në zbritje të pagës për mësimdhënësit që janë pranuar në punë sipas kritereve që ka kërkuar legjislacioni në fuqi, kryejnë punën e njëjtë me mësimdhënësit tjerë dhe kanë përvojë të gjatë pune.

Të gjithë drejtuesit e Institucioneve Edukativo Arsimore: Drejtor i Institucionit Parashkollor, Drejtor i Shkollës Fillore, Drejtor i Shkollës së Mesme të Ulët, Drejtor i Shkollës së Mesme të Lartë, Drejtori i Shkollës Speciale të kenë titull të njëjtë të pozitës dhe rritje të gradës/koeficientit të propozuar.

Pedagogët dhe psikologët në arsimin parauniversitar në të gjitha Institucionet Edukativo Arsimore të renditen në klasën D12 dhe të kompensohen për punën e tyre së paku njëjtë me mësimdhënësit e shkollave të mesme.

Të përmirësohet renditja dhe kategorizimi i të gjithë punëtorëve të çerdheve dhe klasave parafillore.

Ne kemi nevojë të investojmë në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë dhe të mbështesim stafin që angazhohet për këtë. Besojmë se do të arrimë përkrahjen e mjaftueshme dhe të deputetëve tjerë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.