[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ymeri tallet me Reciprocitetin e Kurtit: Koalicioni u prish për çertifikatat fitosanitare



Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjithë ditëve sa kanë qeverisur bashkë nuk ishin pajtuar rreth modalitetit të heqjes së taksës. Mustafa insistonte që ajo të hiqej pa asnjë kusht shtesë, derisa Kurti insistonte që ajo të zëvëndësohej me masën e reciprocitetit. Një mospajtim i tillë çoi në rrëzimin e Kurtit me mocion mosbesimi në Kuvend që mori përkrahjen e 82 deputetëve.

E tashmë Kurti si kryeministër në detyrë, siç kishte deklaruar, ka hequr taksën 100% ndaj Serbisë dhe e ka zëvëndësuar atë me reciprocitet të pjesshëm.

Me një vendim të tillë të kryeministrit është tallur ish-kreu i Vetëvendosjes, Visa Ymeri, i cili thotë se koalicioni qenka prishur vetëm që çertifikatat fitosanitare dhe ato veterinare të mallit të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“A për këtë u prish koalicioni a? Që çertifikatat fitosanitare dhe ato veterinare të mallit të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi?”, ka pyetur me ironi Ymeri.

Ai në fund ka pyetur edhe një herë se për çfarë ishin pajtuar LDK dhe VV, nëse nuk janë pajtuar rreth çertifikatave të fitosanitairsë.

“Edhe një herë: për çka janë marrë vesh LVV dhe LDK nëse për këtë nuk qenkan marrë vesh”, ka përfunduar Ymeri.

Kreu në detyrë i Qeverisë mbrëmë të martën në një konferencë për media kishte kumtuar lajmin për heqjen e taksës 100 % dhe për zëvëndësimin e saj me masën e reciprocitetit të pjesshëm.

Menu Title