.
×

Zëdhënësi i LDK’së: Nuk ka asnjë dallim të madh që e pamundëson koalicionin me VV’në



Botapress 15 Tetor – Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka njoftuar se partia e tij është duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe se dy partitë po diskutojnë edhe për aspektet teknike të programit.

“Vjosa Osmani ka udhëtuar në Uashington, por grupet teknike dhe punuese kemi vazhduar takimet që të ndërtojmë ura ndërlidhëse. Nuk është sekret ne kemi dallime pasi që ne jemi të djathtë dhe Vetëvendosja e qendrës së majtë, por për hir të interesit të Kosovës qysh para zgjedhjeve kemi shprehur gatishmërinë për koalicion”, ka thënë Mustafa.

“Dallimet që i kemi pasur bashkërisht i kemi tejkaluar dhe ne jemi të angazhuara që temat teknike t’i kemi të përgatitura. Pra që të mos kemi dallime programore dhe të kemi një program të përbashkët mes dy partive”.

“Po punojmë që të kemi një koalicion LDK dhe VV, po ashtu siç e dini jemi pajtuar që kushdo që i fiton zgjedhjet e merr postin e kryeministrit”.

Mustafa tha në Klankosova se as për dialogun nuk kanë dallime të mëdha, që mund të jenë shkak për mosarritje të koalicionit.

“Për momentin nuk shohim asnjëra palë një temë që nuk na lejon koalicion. Nuk besoj që kemi ndonjë temë të tillë dhe besoj që dallimet do t’i zgjidhim për të krijuar një qeveri të përbashkët. Mund të mbetet ndonjë detaj që më pas do të zgjidhim, por për momentin nuk shoh asnjë dallim të madh”.