.
×

Zvicër: Parlamenti voton përshtatjen e të drejtës së azilit me BE-në



Në të ardhmen burgu për dëbim të azilkërkuesve do të jetë dukshëm më i shkurtë dhe nuk do të ketë mundësi të shpallet pa një arsyetim përkatës

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës do t`i adoptojë në të drejtën e vendit ndryshimet më të reja që janë bërë në Marrëveshjen e Dublinit, në mesin e shteteve të Bashkimit Evropian. Kjo dhomë, në hapje të sesionit të saj vjeshtor është deklaruar që procedurën e azilit ta përshtatë me rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi në BE.

Në mesin e ndryshimeve të rëndësishme në këtë drejtim është se në të ardhmen burgu për dëbim të azilkërkuesve nuk do të ketë mundësi të shpallet pa pasur një arsyetim përkatës. Ndër arsyetimet mund të jetë për shembull ai se azilkërkuesi nuk është treguar bashkëpunues me autoritetet. Kjo pikë ka ngjallur më shumë debat në mesin e deputetëve.

Po kështu me rregullat e reja kohëzgjatja maksimale e mbajtjes në burgun për dëbim do të jetë dukshëm më e shkurtë se deri më tash, bën të ditur srf.ch. Nga maksimalisht 18 muaj sa ka zgjatur deri më tash, ajo do te kufizohet në 7 javë për burgun parapërgatitor dhe 6 javë për burgun për dëbim.

Për ndryshimet e reja në Dhomën Nacionale kanë votuar 132 deputetë ndërsa kundër kanë qenë 52 sish. Dhoma e Kantoneve do ta shqyrtojë këtë çështje si dhomë e dytë.