[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Edhe në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan ashpërsohet kufizimi i qarkullimit



Pas takimit të shtabeve të krizave të dy komunave veriore, është marrë vendimi që nga dita e nesërme (10 prill), në territorin e Mitrovicës Veriore dhe në Zveçan, të kufizohen lëvizjet nga ora 12 e mesditës deri në orën 6 të mëngjesit (gjithsejtë 18 orë).

Kështu ka njoftuar kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, i cili ka shtuar se kjo masë do të jetë në fuqi për dy javët e ardhshme.

“Pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në komunat tona, me çka padyshim se është rritur rreziku i përhapjes së virusit mes qytetarësh, gjë të cilën na e konfirmojnë edhe raportet epidemiologjike, në koordinim të plotë me Institutin e Shëndetit Publik, me shërbimet epidemike, me udhëheqësinë e institucioneve tona shëndetësore sikurse edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, kemi marrë vendim për masa të reja në mënyrë që t’i mbrojmë qytetarët tanë”, tha Rakiqi, raporton “Radiomitrovicasever”.

Në një konferencë për media, Rakiqi tha se të gjithë të infektuarit me koronavirus do të vendosen në Qendrën e Studentëve në Mitrovicë të Veriut.

Sipas tij, lëvizjet do të lejohen për të punësuarit në kujdesin shëndetësor, në shpërndarjen e ushqimit, dhe kujtdo që, për nga natyra e punës, aktualisht janë të detyruar të dalin në punë.

“Përjashtim bëjnë personat e angazhuar në sigurimin e zinxhirit të furnizimit të qytetarëve, të tilla si ushqim dhe ilaçe e të ngjashme, institucionet nga shërbimi shëndetësor, sektori i sigurisë, udhëheqja dhe stafi tjetër komunal si dhe anëtarët e shtabit të krizave”, tha Rakiqi.

Kreu i Komunës së Mitrovicës Veriore tha se këto masa do të mbesin në fuqi për dy javë, ndërsa shtoi se gjatë periudhës kur lejohet lëvizja e qytetarëve, nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 12 të mesditës, ndalohen tubimet në vende të hapura dhe të mbyllura, përveç në aktivitete dhe punë që përfshijnë parandalimin e pandemisë, dhe lëvizjet në grupe prej më shumë se dy personash, përveç nëse janë familje me fëmijë të vegjël.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim dhe t’i respektojnë këto masa sepse, siç tha ai, ato janë ndërmarrë për të mirën e qytetarëve.

Aktualisht, në territorin e komunës së Mitrovicës Veriore, 20 persona janë të konfirmuar me koronavirus, kurse në Zveçan 10.

Ndërkaq, këto masa i ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti, ka thënë për Kohën se masat në këto dy komuna janë vendosur nga kjo ministri, në konsultim edhe me autoritetet lokale në Mitroicë të Veriut e në Zveçan.

Menu Title