.
×

Fisslisbach (AG): Shqiptari mbyt me thikë bashkëkombësen e tij në mes të fshatit



Vrasësi dhe viktima duhet të jenë njohur në mes vete, thotë policia, e cila nuk ka ende të dhëna për natyrën e lidhes në mes tyre.

**********************

Të enjten në orët e paradites është plagosur për vdekje në mes të fshatit Fisslisbach një shqiptare e moshës 26 vjeçare. Vrasësi i dyshuar është një shqiptar i moshës 35 vjeçare. Mediet zvicerane njoftojnë se qytetarët në Fisslibach kanë qenë dëshmitarë të vrasjes brutale me thikë. Policia ka gjetur në hyrjen e një ndërtese gruan e plagosur rëndë e cila vdiq menjëherë, në vendin e ngjarjes.

Fillimisht dorasi ka ikur këmbë nga vendi i ngjarjes por ai është kapur së shpejti nga policia e kantonit. Sipas policisë, me rastin e arrestimit ai i ka shkaktuar vetes plagë me thikën e tij por megjithatë ajo ka arritur ta arrestojë.  I plagosuri është bartur në spital. Është konstatuar se bëhet fjalë për një shtetas 35 vjeçar të Shqipërisë pa vendqëndrim të rregullt në Zvicër, shkruan azonline.ch. Vrasësi dhe viktima, e cila mësohet se ishte po ashtu shtetase shqiptare, duhet të jenë njohur në mes vete, thotë policia, e cila nuk ka ende të dhëna për natyrën e lidhjes në mes tyre.

Po ashtu nuk njoftohet për motivet e mundshme të vrasjes.

Nga ana tjetër, qytetarët në Fisslisbach kanë pësuar tronditje nga akti i rëndë. Sipas tyre, një akt të tillë të rëndë ky fshat nuk ka përjetuar asnjëherë deri më tash.