[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Flet kryeinspektori që u sulmua në një restorant në Prishtinë



 

Kryeinspektori i Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla është sulmuar ditën e djeshme. Mesditën e së martës, kryeinspektori i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, është sulmuar nga dy konsumatorë gjatë inspektimit të rregullt në një restorant. Syla ka treguar se ndaj të dyshuarve është hapur rast.

“Ka qenë inspektim i rregullt në Prishtinë dje rreth orës 12:10. Duke bërë inspektimin në një lokal subjekti afarist ka qenë në rregull mirëpo, momentin kur jemi kthyer kanë qenë tetë persona në një tavolinë edhe ne i kemi sugjeruar operatorit ekonomik që të mos i lejoj tetë persona në tavolinë sepse kanë qenë duke ngrënë bukë. Në atë rast dy prej tyre na kanë sulmuar. Pas atij sulmi unë e kam thirrur shumë shpejtë policinë edhe më pas i kanë intervistua ata dy personat dhe rastin e kanë hapur. Kjo ka ndodhur dje në ora 12:10 të ditës. Që do të thotë unë edhe si kryeinspektor pasi që kemi numër të vogël të inspektorëve, dal edhe inspektoj edhe vetë, vetëm për të mirën e vendin tim, vetëm për të mirën e popullatës, vetëm që ta përcjellim gjendjen se si po shkon”, tregoi Syla.

Ai ka treguar se operatori ekonomik ka qenë në rregull mirëpo, vetëm në momentin kur ia kanë tërhequr vërejtjen që të mos i lejojë tetë persona në një tavolinë, dy prej këtyre konsumatorëve kanë sulmuar në mënyrë verbale Sylën dhe siç theksoi ai, ka pasur tentim edhe për sulm fizik mirëpo, një gjë e tillë është parandaluar.

“Prapë po e theksoj, biznesi ose operatori ekonomik ka pasur gjithçka në rregull, me maska me të gjitha, përveç që kanë qenë tetë persona duke drekuar dhe ne i kemi sugjeruar që të mos i lejojë tetë persona dhe kur jemi kthyer mbrapa dhe e kemi drejtuar dorën duke i thënë se aty i ke tetë persona dhe më pas dy prej tyre, që nuk e di as kush janë, na kanë sulmuar. Unë bëj apel që të mos ndodhin gjëra të tilla sepse normal që policia menjëherë ndërhyn edhe të mos ketë keqkuptime. Ky le të jetë rasti i fundit sepse ne nuk do të ndalemi kurrë. Ka qenë sulm verbal, është tentuar të jetë fizik mirëpo e kam ndaluar atë fizik sepse normal që nuk lejoj një gjë të tillë”, theksoi Syla.

Kryeinspektori Syla thotë se ai ka dhënë dëshminë e tij në Policinë e Kosovës dhe se në lidhje me këtë rast është i njoftuar edhe ministri Vesel Krasniqi si dhe të gjitha organet gjegjëse.

Pavarësisht këtij sulmi, Syla thotë për lajmi.net, se nuk do të ndalen në asnjë moment e aq më pak në kohën e pandemisë.

“Kështu që e kam dhënë edhe dëshminë time edhe në polici, ka ardhur policia dhe kanë reaguar shumë shpejtë dhe jam shumë falënderues ndaj tyre. Prapë po bëj apel se ne nuk do të ndalemi, pa marrë parasysh se çka na ndodhë. Prapë po e them e kemi për të mirën e vendit, të mirën e popullit për shkak të pandemisë që është duke u përhapur me përmasa shumë të mëdha. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk ka kush që na ndalë e sidomos mua si kryeinspektor nuk ka shanse që të më ndal askush. Për këtë rast edhe ministri edhe të gjitha organet janë të njoftuara”, tregoi ai.

Menu Title