.
×

Haradinaj: Vëllain Enverin ma mbytën kur isha në Hagë, heshta për të mos nxitur akte terrori



Kryeministri në detyrë dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradianaj, në “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini ka folur për tema të ndjeshme të periudhës së pasluftës.

Haradinaj, ka folur si rrallë herë edhe për vrasjen enigmatike të vëllait të tij Enverit, pas periudhës së luftës.

“Enveri nuk ka qenë ndonjë djalë problematik që ka krijuar problem me dikë. Ai ka qenë jashtëzakonisht i sjellshëm dhe ka qenë i plagosur dy herë gjatë luftës”.

I pari i AAK-së ka thënë se vrasja e tij është pjesë e një skenari të përgatitur nga Serbia pasi sipas tij Enveri nuk i kishte bërë keq asnjë shqiptari.

“Vrasja e tij, mendoj që ka qenë pjesë e atij skenari që është provuar në Dukagjin. Të kthehen familjet në hasmëri. E vërtet është se gishtin në ndonjë rast e ka tërhequr ndonjë shqiptar por skenari është i Serbisë”.Haradinaj thotë se vrasja e Enverit ishte vrasje politike pasi sipas tij ai nuk ka pasur ndonjë precedent penal.

“Ai askujt nuk ja ka prishur pos Serbisë në luftë. Është vrarë vetëm pse ka qenë vëllai im apo yni. Unë dhe Dauti kemi qenë në burg në atë kohë. Ai është vrarë për të nxitur ndonjë hakmarrje…Por asnjëri nga familja jonë nuk ka vrarë shqiptar. As me porosi e as pas shpine, as përballë. Familja jonë i ka disa kode të nderit që i kemi ruajt”.Kryetari i AAK-së ka thënë se e ka diskutuar edhe me ish-presidentin Rugova se kush po i bën këto vrasje.

Ai thotë se pos zyrtarëve të shumtë të LDK-së, atij i janë vrarë edhe shumë luftëtarë që kanë qenë në grupin e tij por thotë se nuk ka dashur të bëj listë për të mos nxitur vëllavrasje.