.
×

Humbi jetën zvicerani në Prishtinë, çfarë po heton prokuroria



Në rrethana ende të panjohura, pasditen e së hënës në një hotel në Prishtinë u gjet trupi i pajetë i një 61-vjeçari. Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e cila deri në zbardhjen e rrethanave, po cilësohet e dyshimtë

61-vjeçari shtetas zviceran i cili po qëndronte në Prishtinë, u gjet pa shenja jete në një hotel në rrugën “Ilaz Agushi” në kryeqytet.

Trupi i pajetë i tij kishte qëndruar në hotel rreth katër orë.

Express mëson se viktima D.R. ishte përdorues i alkoolit dhe substancave narkotike, por organet e sigurisë ende nuk kanë dhënë detaje se në çfarë rrethanash është gjetur trupi i pajetë i tij.

Burime brenda organeve të sigurisë i kanë thënë gazetës se në trupin e pajetë të viktimës nuk janë vërejtur shenja të dhunës apo të përdorimit të ndonjë arme zjarri.

Ndërkohë, Prokuroria ka nisur hetimet për rastin e vdekjes e cila deri në momentin e zbardhjes po cilësohet si e dyshimtë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se prokurori kujdestar ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Prokurori kujdestar e ka cilësuar si vdekje të dyshimtë, me urdhër të tij trupi i tij do të dërgohet në IML, sot gjatë ditës do ta lëshojë urdhëresën për obduksion. Autopsia do të tregojë shkaqet e vdekjes”, ka thënë Ulaj për Express.

Për gjetjen e një trupi të pajetë në një hotel në Prishtinë ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

“Rr. “Ilaz Agushi”, Prishtinë, 02.03.2020 – 17:04. Është raportuar se viktima mashkull shtetas zviceran është gjetur i vdekur në një hotel. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore si dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, ka bërë të ditur  policia.