.
×

Ia rrënoi objektin, paditësi kërkon nga Komuna e Prishtinës dëmshpërblim 400 mijë euro



Ekspertizë financiare do të bëhet në rastin ku paditësi Ukshin Menxhiqi, po kërkon dëmshpërblim nga Komuna e Prishtinës, për rrënim të objektit, në të cilën ushtronte veprimtarinë biznesore, përkatësisht pompën e derivateve “Bingo benz”, në Prishtinë.

Ekspertiza është caktuar pasi për një gjë të tillë ka propozuar përfaqësuesi i paditësit, avokati Selim Nikqi, ku sipas tij, kjo ekspertizë do të sqarojë dhe konstatojë dëmin që i është shkaktuar paditësit me rrënimin e objektit, duke përfshirë edhe fitimin e humbur.

Gjykatësi Dren Rogova e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për nxjerrjen e ekspertizës financiare.

Për ekspert është caktuar Aziz Berisha, i cili pas analizimit të shkresave të lëndës, pritet të përcaktojë vlerën e dëmit material të shkaktuar si pasojë e rrënimit të objektit, si dhe vlerën e fitimit të humbur për shkak të pamundësisë së afarizmit për periudhën 15 maj 2010, deri me 28 prill 2017, kur paditësi është pajisur me lejen e ndërtimit.

Gjithashtu, gjykatësi Rogova, e ka obliguar ekspertin që në afat prej 15 ditësh, gjykatës t’ia dorëzojë ekspertizën me shkrim, në kopje të mjaftueshme.

Ndërsa, në seancën e së mërkurës nuk ka prezantuar askush nga Komuna e Prishtinës, për të cilën gjykatësi Rogova, tha se ka prova se ishin ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Pasi janë plotësuar kushtet ligjore, përfaqësuesi i paditësit Nikqi, i ka propozuar gjykatës që seanca të mbahet në mungesë të palës së paditur.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 22 korrik 2011, pala paditëse “Bingo Benz 2”, Sh.p.k, Prishtinë, me pronar Ukshin Menxhiqi, po kërkon nga e paditura, Komuna e Prishtinës, shpërblimin e dëmit që petendon se i është shkaktuar me rastin e rrënimit të pompës së derivateve, në Prishtinë.

Sipas padisë, paditësi ka qenë pronar i objektit dhe qiramarrës  për 99 vjet i ngastrës kontestuese, e cila gjendet në Prishtinë, në të cilën kishte ndërtuar objektin dhe dy pompa të benzinës.

Në padi thuhet se ai fillimisht kishte pasur leje pune, e cila i ishte lëshuar nga Komuna e Prishtinës, më 22 janar 2009, ndërsa më 27 prill 2010, sipas padisë, e paditura e kishte shpallur jo valide lejen e punë së paditësit, vetëm me njoftim, e jo me vendim.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se paditësi kishte kërkuar leje për ushtrimin e veprimtarisë të regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për shitje me pakicë të karburanteve dhe lubrifikanteve, mirëpo që nuk kishte marr përgjigje nga e paditura brenda afatit ligjor.

Në padi thuhet se paditësit në mënyrë të paligjshme i është rrënuar objekti, në mënyrë të pakujdesshme dhe më 30 gusht 2010, me aktvendim Komuna e Prishtinës, e kishte urdhëruar paditësin të bëjë largimin e pompave dhe rezervuarve nga nëntoka, siç thuhet në padi, kinse janë të vendosura pa leje, dhe nuk kishte marr për bazë se paditësi kishte kërkuar leje dhe e paditura nuk kishte vendosur fare në lidhje me këtë kërkesë.

Mbi këtë bazë, paditësi po kërkon nga e gjykata që ta obligojë të paditurën që atij t’i paguajë në emër të dëmit për rrënimin e objekteve, mallin e shkatërruar dhe fitimin e humbur, shumën prej 400,000 euro. /Betimipërdrejtësi