.
×

Indira A.Hoxha: Nderi i shtëpisë,nderi shoqëror dhe nderi i gruas



 

Nderi i shtëpisë

Anëtarët e shtëpisë të mirën e të keqen ta bin në shtëpi. Nderi i familjarëve të shtëpisë është i barabart. Me u koritë njani prej tyne, koriten të gjithë njerëzit e shtëpisë. Qëndroi një familjar dhe e zbardhi faqen, nderoi tanë shtëpin e zjarmin e vet. E mira e shtëpisë, është kur pret puna, e do që të pyetet i zoti i shtëpisë me qit pushkë. Kur nuk pret puna, njerëzit e shtëpisë kanë të drejtë me qendrue burrnisht e shtëpia do t‘jau bajnë,për hajr.

Nderi shoqëror

Nderi përbën një nder institutet kulmore të DZSH (Kanunit të Lekë Dukagjinit) dhe si koncept ka funksion të dyfishtë: nga një anë është normë morale fondamentale, që përfaqëson kultin e nderit, në të cilin mbështetët shoqëria shqiptare dhe, nga ana tjetër, shpreh kodin e nderit, me ligje e norma etiko-morale, të detyrueshme të rrespektohen nga individët dhe nga komunitetet ( nderi i familjes, nderi i fisit,nderi i fshatit, krahinës dhe atdheut).

Nderi nuk është kategori e ngurt e mbyllur në kornizat e etikës dhe të moralit të shoqërisë, madje ashtu si në poemat homerike, ku heronjët kërkojnë të rrisin nderin e vet nëpërmjet lavdis, apo të rivendosin nderin e përbaltur, kësisoj dhe DZSH ( Kanuni i Leka Dukagjinit) përcakton qëndrime e sjellje etiko-morale, që çojnë në lartësimin e nderit të individit, të familjes, të krahinës, të atdheut, ashtu si përmban dhe kritere ligjore, që e mbrojnë nderin.

Kanuni kërkon barazi para ligjit dhe zbatimin me përpikëri të ligjeve të çdo kohe si domosdoshmëri e jetës, nënshtrimin ndaj rregullit në komunitet që nga prijësi deri tek më i thjeshti, dhënien e drejtësisë dhe ndëshkimin e rreptë ndaj krimit. Mbi të gjitha, mesazhet e Kanunit qortojnë rreptë hilen ndaj popullit dhe nuk mund të pranojnë mafien në drejtimin e punëve të shtetit. Ndaj populli shqiptar e ka Kanuni më të shenjtë se Biblen e Kuranin. Nderi shoqëror mbulon çështjen e mikut në shtëpi, mikpritjen dhe të drejtën e shtëpisë. Ekskluzivisht kjo përfshinte të drejtën e mbrojtjes së mikut. Këtu bëhej dallimi në mes shkeljes së mikpritjes dhe të drejtës së shtëpisë.

Nderi i gruas

Nderi i gruas është edhe nderi i të shoqit ( burrit ) e i gjinisë së saj. Gruaja e çika kanë detyrë me rujt nderin e vet me sjelljet e tyre. U koritën vetë ato, koritën edhe shtëpi e gjini, babë e burrë. Gruaja e çika fistare din me rujt nderin e vet. Të keqit i tregojnë rrugën. Mujtën me qendrue,“aferim i koft“. E vran e shituen kand për nder, shtëpi e gjini, jau bajnë për hair e u dalin zot. S‘e ruejtën nderin me dashje, i pret dënimi me jetë.

Kur i merret nderi grues apo çikës së huj, kemi disa mënyra: me i dhunue e përdhunue apo me i lanë shtatëzanë, me ja marr shaminë e kresë apo ndoni teshë ( veshë ) të trupit, me e shkye e përshkye apo me e rrahë, me i marrë bulerën ( burën e ujit ), barrën e shpinës, ja me ja thye, me ja shprish apo hallakat, i merret nderi i çikës e gruas shqiptare.