.
×

Institucionet e Shpendit, naftë veç në “Petrol Company”



Mund të konkurrojë kush të dojë, por tenderët në komunën e Prishtinës për furnizim me derivate, si të siguruar me “tapi”, po del se i ka vetëm kompania “Petrol Company”. Kjo kompani e cila drejtohet nga Shkelzen Jusaj, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së, kohëve të fundit është duke i marrë gati të gjithë tenderët në institucionet e Komunës së Prishtinës. Deri tani, besimin kësaj kompanie për t’i furnizuar me lëndë djegëse ia kanë dhënë Komuna e Prishtinës, Ngrohtorja “Termokos” e Ujësjellësi “Prishtina”. Vlera e krejt këtyre tenderëve e kalon shumën e 2 milionë e 600 mijë eurove.

Mund të jenë rivalë partiak, por kur është puna të tenderët kjo nuk ka rëndësi fare. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe pronari kompanisë së derivateve “Petrol Company”, Shkelzen Jusaj, që është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duket se janë duke bashkëpunuar fort mes vete. Këta dy madje nuk janë duke e çarë kokën për konkurrentët.

Deri tani, pjesën më të madhe të tenderëve që janë shpallur për furnizim me derivate nga Komuna dhe institucionet që janë nën mbikëqyrjen e saj i ka marrë kompania e Jusajt.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë pranuar ta thonë asnjë fjalë për këtë punë. Njësoj kanë vepruar edhe ata të ngrohtores Termokos.

Express ka dy ditë që është duke kërkuar përgjigje nga këto institucione.

Të vetmit që kanë pranuar të flasin janë drejtuesit e Ujësjellësit “Prishtina”. Këta kanë treguar se “Petrol Company” e ka fituar tenderin pasi ka qenë më i lirë në garë.

“…me këtë rast të shpalljes së këtij tenderi, 4 kompani e kanë tërhequr dosjen e tenderit, por më pas kanë konkurruar apo ofertuar vetëm 2 kompani, “Petrol Company” me çmim 97.198.00 euro dhe “ Hib Petrol” me çmim 98.395.00 euro.

Petrol Company e ka fituar këtë tender pasi që ka qenë me çmimin më të lirë, bazuar në ligjin e Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës dhe se gjithçka ka qenë në rregull me dokumentacionin që ne ua kemi kërkuar”, ka thënë Arieta Mjeku, zyrtare për informim në Ujësjellësin “Prishtina”.

Javë më parë, “Koha Ditore” ka raportuar se Komuna e Prishtinës tenderin për furnizimi me karburante ia ka besuar kompanisë që operon me licenca jovalide.

“Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës ka konfirmuar se janë të falsifikuara gjashtë licenca të kësaj kompanie, tri nga të cilat u takojnë pikave të karburantit në periferi të kryeqytetit: në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, në Çagllavicë dhe në Preoc.

Autoritetet komunale kanë mbajtur fshehtë të dhënat e këtij aktiviteti prokurimi, që zbardhin skandalin me licencat”, thuhej në këtë raportim.

Ndërkohë, i ndikuar nga raportimet e kryetari Ahmeti, deklaronte se ende nuk ka kontratë të nëshkruar me “Petrol Company”. Megjithëkëtë ende nuk dihet nëse Ahmeti e ka nënshkruar apo jo kontratën.

Vlen të përmendet po ashtu se Shpend Ahmeti që në fillim të mandatit kishte një skandal me derivate. Në atë kohë ai pati akuzuar kompaninë “Hib Petrol” se po furnizon shkollat me derivate kancerogjene. Për këtë punë të dy palët kanë ngritur padi për njëra-tjetrën.

Prej atëherë, në shollat e Prishtinës, nuk ka pasur kompani për furnizim me naftë. E, tani e dy ditë, komuna e Prishtinës ka hapur një tender të tillë. Mbetet të shihet se kujt do t’i besohet ky tender, sërish kontraktuesit favorit “Petrol Company” apo ndokujt tjetër.

Çmimi i tenderëve dhe nënshkrimi i kontratave

Komuna e Prishtinës, tenderin për Furnizimi me naftë e ka dhënë me 08/08/2014. Derisa, nënshkrimi i kontratës është planifikuar të behët me 22/08/2014. Vlera e këtij tenderi është 218 mijë e 870 euro. Derisa në garë për këtë kanë qenë katër kompani.

Kurse, ngrohtorja e Tremokos tenderin “Furnizim me Mazut” e ka dhënë me 18.09.2014. derisa, është planifikuar të nënshkruhet kontrata me 29.09.2014 . Numri i tenderëve të pranuar 2. Vlera totale e tenderit 2 milionë e 367 mijë e 240 euro.

E, ujësjellësit Rajonal “Prishtina” tenderin “Furnizim me derivate te naftës e ia ka dhënë kompanisë “Petrol Company” me 17.09.2014, derisa është vendosur që nënshkrimi i kontratës të behët me 29.09.2014. Për ketë tenderi kanë konkurruar dy kompani, kurse vlera e tij është 97 mijë e 198 euro.