.
×

Ish-mësimdhënësja kërkon nga Komuna e Pejës kompensimin e pagave pas pensionimit



Është caktuar të bëhet ekspertizë financiare, në çështjen civile ku ish-mësimdhënësja Zojë Lulaj, po kërkon nga Komuna e Pejës, kompensimin e pagave pas daljes së saj në pension. Me pretendimet se këto paga i takojnë asaj, ajo e ka paditur Komunën e Pejës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësja Lulaj, kërkon që t’i kompensohen tri pagat për përcjellje në pension, në shumë prej 1.452 euro, si dhe shpërblimin jubilar në shumë prej 726 euro.

E të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca përgatitore në këtë çështje civile.

Gjatë seancës, përfaqësuesi i paditëses, avokati Besim Ahmetaj, i ka propozuar gjykatës që të caktojë një ekspertë për nxjerrjen e ekspertizës financiare.

Ndërsa, përfaqësuesja e Komunës së Pejës, avokatja Drita Sopi-Gashi ka thënë që mbetet pranë përgjigjes në padi, ku sipas saj, padia dhe kërkesa e saj duhet t’i drejtohen Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Ministrisë së Financave, të cilat siç ka thënë ajo, janë garantuese për përmbushjen e obligimeve financiare.

Sipas përgjigjes në padi, e paditura e ka kundërshtuar padinë si të pabazuar dhe ka theksuar që kërkesa e padisë nuk ka mbështetje ligjore.

Më pas, me aktvendim, gjyqtarja e çështjes, Afërdita Mulhaxha, e ka aprovuar propozimin e avokatit Ahmetaj, duke konstatuar që për nxjerrje të ekspertizës financiare do të caktohet një ekspertë nga lista e gjykatës.

Ajo ka thënë se seanca e shqyrtimit kryesor do të caktohet pasi që nxjerrjet ekspertiza financiare.

Sipas padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, paditësja Zojë Lulaj po kërkon nga e paditura, Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, që t’ia kompensojë tri pagat përcjellëse në pension, në shumë totale prej 1.425 euro, si dhe shpërblimin jubilar në shumë prej 726 euro.

Në padi thuhet që paditësja Lulaj për 41 vjet e 11 muaj dhe katër ditë, ka punuar si mësimdhënëse në shkollën fillore “7 shtatori”, në Vitomericë të Pejës, dhe më 26 nëntor 2018, me aktvendim i është ndërpre kjo marrëdhënie e punës, pasi që ajo e ka arritur moshën e pensionit.

Sipas padisë, ajo me kërkesë i është drejtuar Komunës së Pejës, nga e cila e ka kërkuar kompensimin e këtyre pagave, por sipas saj, një gjë e tillë nuk është realizuar dhe e njëjta më pas ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë.