.
×

Kina vë në ankand 10 mijë tonë mish derri nga rezervat shtetërore



Kina do t’i shesë përmes ankandit 10 mijë tonë mish derri nga rezervat shtetërore për shkak të rritjes së çmimit të këtij produkti dhe përhapjes së gripit afrikan të këtyre kafshëve.

Sipas Qendrës Menaxhuese për Mallrat Rezervë në Kinë, shitja e mishit do të jetë e kufizuar në sasi maksimale prej 300 tonësh për një ofertues.

Ky njoftim erdhi disa ditë para festimit të 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, i cili do të shënohet më 1 tetor. Në ceremoninë festive do të përfshihet një paradë ushtarake dhe një javë pushim, gjatë së cilës mishi i derrit do të jetë ushqimi kryesor në tubimet familjare

Kina po përballet me rritje të pakënaqësisë për ushqimin, kryesisht për shkak të gripit epidemik të derrave, i cili shkaktoi ngordhjen e një të tretës së këtyre kafshëve në Kinë. Mishi i derrit është produkt i rëndësishëm në kinë. Qeveria qendrore dhe qeveritë lokale mbajnë rezerva të mishit të derrit që nga vitet e shtatëdhjeta. Sasia e saktë e mishit rezervë paraqet sekret shtetëror.

Zyrtarët kinezë janë përpjekur ta sigurojnë popullin se do të ketë furnizim të mjaftueshëm me mish derri. Zëvendëskryeministri kinez, Hu Chungua, kishte thënë në muajin gusht: “Duhet të sigurojmë furnizim me mish derri në të gjitha mënyrat, të mbizotërojmë mbi thashethemet e tregut, ta shtojmë prodhimin dhe t’i rrisim rezervat”.

Vitin e kaluar, Kina u godit nga gripi afrikan i derrave, i cili nuk është i rrezikshëm për njerëzit, por është fatal për këto kafshë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 100 milionë derra kanë ngordhur si pasojë e këtij gripi, shkruan “The Guardian”.