.
×

Komuna e gatshme për të bashkëpunuar me bizneset



Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka bërë bashkë  në një takim komunitetin e biznesit të Ferizajt dhe drejtuesit e pushtetit lokal, në të cilin është biseduar për problemet dhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë bizneset e komunës.

Fillimisht, kryetari i OEAK-së, Arian Zeka, ka thënë se ky është takimi i tretë gjatë këtij viti që po organizohet me bizneset e komunave të Kosovës. Me këtë rast, ai ka thënë se në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes një rol të rëndësishëm mund ta luajnë edhe komunat.”Gjithmonë faji ju  vihet institucioneve qendrore, ato kanë rol primar ngase shumica e ligjeve natyrisht implementohen nga ministritë e ndryshme. Në përmirësimin e kushteve tuaja, si bartës të zhvillimit ekonomik të vendit, një rol shumë të rëndësishëm e kanë edhe kryetarët dhe natyrisht e tërë administrata komunale” theksoi Zeka.

Sipas drejtuesit të OEAK-së, rajoni i Ferizajt ka një potencial të fuqishëm të bizneseve, andaj përmirësimi i ambientit do të ndikoj edhe në përfitimet që do të ketë komuna dhe qytetarët e saj. Ai, ka vënë theksin edhe në atë, se komuna e Ferizajt e para ka bërë heqjen e taksës së biznesit, duke u bërë model për komunat tjera, ndërsa ka thënë se edhe kryetari aktual i Ferizajt, pasi ka një përvojë në këtë drejtim do të punoj ngushtë për të përmirësuar ambientin biznesor.

Në cilësinë e nikoqirit, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, është të ndalur tek roli i pushtetit vendor karshi bizneseve, duke vënë në dukje faktin  se bashkëpunimi i ngushtë me bizneset, përbën një levë të rëndësishme zhvillimore, në kuptimin e ofrimit të lehtësive dhe shërbimeve, që do të mundësonin përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes. Sipas Svarqës, komuna e Ferizajt shumë shpejtë do ta aprovoj Strategjinë Komunale të Zhvillimit Ekonomik që tashme është e gatshme, ndërsa po punon që bizneseve krahas sigurimit të hapësirave për rritje të kapaciteteve, t’u sjellë edhe lehtësira në procedurat administrative. Madje ai ka përmendur edhe kontributin e komunës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Me zhvillimin e politikave transparente të qeverisjes dhe me vendosjen e sundimit të ligjshmërisë në bazën e qeverisjes lokale, komuna do të japë kontributin e saj në përmirësimin e ambientit biznesor. Cilësia e shërbimeve publike dhe administrata funksionale, është një synim tjetër, në të mirë të të gjithë qytetarëve, veçmas të atyre që bëjnë biznes. Thjeshtësimi i procedurave për regjistrimin dhe për komunikimin e administratës me bizneset paraqet një aspekt të angazhimit tonë, për të cilin bëhen përpjekje në vazhdimësi” ka thënë Svarqa, për të shtuar se “luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, në radhë të parë është detyrë e agjencive të sigurisë, por edhe pushteti lokal mund të bëjë punë të çmueshme në këtë aspekt. Mbikëqyrja e funksionimit të administratës në përputhje me ligjin, pengimi dhe ndëshkimi i shkeljeve ligjore ose i keqpërdorimeve të mundshme, paraqet një angazhim të vazhdueshëm të udhëheqjes komunale të Ferizajt. Qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve, janë dëshmitarë dhe vlerësuesit më të mirë të këtij aspekti”.

Në këtë takim i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka kërkuar që në rajonin e Ferizajt hapët një zonë doganore. Ai këtë kërkesë e ka arsyetuar me faktin se Ferizaj ka resurse të bollshme materiale e humane për ta gëzuar këtë privilegj.”Para Ferizajt asnjë qytet i Kosovës nuk mund të shpallet zonë doganore, ne kemi pozitën e mirë gjeografike,biznese të fuqishme  dhe resurse humane të bollshme” ka thënë Svarqa

Nga ky takim, kryesuesi i OEAK-së Arian Zeka, ka lansuar edhe idenë e krijimit të një Këshilli Konsultativ të bizneseve, të cilën ide e përkrahu edhe kryetari Svarqa duke thënë se Këshilli duhet ta luaj rolin lidhës në mes institucioneve lokale të pushtetit dhe bizneseve.

Gjatë debatit që u zhvilluar, përfaqësuesit e bizneseve ngritën një mori shqetësimesh, por që shumica prej tyre lidheshin me kompetencat e pushtetit qëndror. Problemi i TVSH-së, vonesave doganore dhe problemi i rrymës, ishin disa prej shqetësimeve që u apostrofuan nga bizneset. Ibrahim Bucaliu, nga Kompania “HIB-Petrol” theksoi se politika duhet të jetë sa më larg bizneseve, ndërsa Njazi Musliu nga Kompania “Eurometal” ngriti problemin e rrymës, ujit dhe kanalizimit në zonën industriale të Babushit.

Ndryshe, u tha se komuna e Ferizajt do të ofrojë në vazhdimësi mbështetje për kërkesat e të gjithë atyre që kanë për synim themelimin, rritjen e zgjerimin e ndërmarrjeve, sidomos të atyre prodhuese, me qëllim të stimulimit, lehtësimit dhe zhvillimit sa më të hovshëm ekonomik.