.
×

Molliqaj thotë se marrëveshja ajrore u bazua në Rezolutën 1244, Kosova vetëm si agjenci



Kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj, ka reaguar në lidhje me arritjen e marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Sipas Molliqajt, Kosova nuk është përfaqësuar si shtet në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Me marrëveshjen e fundit, Serbia arriti që çdo çarkullim ajror që bëhet nga dhe drejt Prishtinës e që duhet të kalojë kah hapësira ajrore e Serbisë, të monopolizohet vetëm nga një kompani – që në anën tjetër mund të shërbejë edhe si ndërmjetësuese potencialisht për kompani ajrore të Serbisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si një agjension”, ka thënë ai.

Ai ka thënë po ashtu se lavdërimi i kësaj marrëveshje është i papranueshëm. Gjithashtu, sipas tij, është i papranueshëm fakti se i nominuari për kryeministër, Albin Kurti, po hesht.

Ai pati edhe disa fjalë për Kurtin, i cili sot përkujtoi Ibrahin Rugovën me një shkrim të tij në Facebook.

“Sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet. Dhe sot, për herë të parë pas 15 vitesh, nuk e kundërshtoi një marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë, vetëm dhe vetëm nga frika që po mbetet pa arritur në pushtet”, shtoi ai.

“Ky është një paralajmërim i qartë që edhe nën qeverinë e tij, Kosova do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë”