.
×

Mustafa që thotë se do t’i vazhdojë punët e lëna në gjysmë edhe pas rënies së qeverisë



Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka shpalosur detaje nga puna e tij 50 ditore si ministër. Mustafa ka shkruar se ka trashëguar borxhe nga qeveria e kaluar e  ka gjetur të punësuar me kontrata afatshkurta. Derisa shton se projektet e nisura do t’i vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Mustafa ka shkruar se ka trashëguar një borxh prej 25.5 milionë euro nga vitet 2018 dhe 2019, derisa thotë se pas miratimit të buxhetit, kanë nisur pagesat në shlyrjen e këtij borxhi.

‘Trashëgova një borxh ndaj bujqve prej 25.5 milionë eurosh nga vitet 2018 dhe 2019. Menjëherë pas miratimit të buxhetit intensifikuam pagesat e këtyre borxheve dhe realizuam pagesat për 1.868 fermerë në vlerë prej 2.621,345.97 eurove”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka theksuar se ka gjetur 151 persona të punësuar me kontrata afatshkurta, të cilët kanë qenë nën presionin e vazhdimit apo jo të kontratës.

“Gjeta 151 të punësuar me kontrata afatshkurtra, që u është kërkuar të menaxhojnë nga 50 milionë euro subvencione dhe grante çdo vit, gjithnjë nën presionin që “mund të të mos vazhdohet kontrata”. Bëra pezullimin parandalues të 7 zyrtarëve, 3 prej të cilëve zyrtarë të lartë, pas konfirmimit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit. Por hasa edhe në qindra shërbyes civil të ndershëm e punëtor që mezi kanë pritë mundësinë të shkrijnë mendjen e mundin për vendin e tyre”, shkruan Mustafa.

Ai ka përmendur edhe akreditimin e Agjenciasë për Zhvilliminm e Bujqësisë, për të rritur transparencën në ndarjen e subvencioneve dhe granteve.

“Prioritizuam akreditimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, të lënë anash keq me vite, për të rritur transparencën në ndarjen e subvencioneve dhe granteve dhe për të mundësuar menaxhimin e drejtpërdrejt të fondeve të BE-së. Nisëm edhe punën për mbrojtjen e treguesit gjeografik të verës së Rahovecit”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkohë, duket se edhe pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, puna e Mustafës në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë.

“Këto punë dhe shumë projekte tjera që i nisëm do t’i monitoroj e kujdestaroj me të njëjtin zell e përkushtim. Shërbimi ndaj vendit dhe qytetarëve nuk njeh kufi”, ka shkruar Mustafa.