.
×

Nenad Rashiq: 95 përqind e serbëve nuk janë për ndryshim kufijsh



Kandidati për kryeministër nga koalicioni Slloboda, Nenad Rashiq, ka thënë se ideja e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve është tejet e dëmshme.

Ai kështu ka thënë në debatin FOL Hapur, duke theksuar se duhet të punohet në thellësi dhe jo vetëm në sipërfaqe.

“Të gjithë bisedojnë për ne, por ne nuk jemi pjesë e procesit. 95 për-qind e serbëve nuk janë për ndarje ose ndryshim të kufijve.  Shumica e është për bashkëjetesë dhe kushdo që manipulon me këtë gjë është politikan.Ka një bashkëpunim shumë të mirë midis serbëve dhe shqiptarëve. Presidenti Thaçi po inicion vetëm ide dhe kaq. Ai e ka iniciuar idenë e korrigjimit të kufijve që është tejet e dëmshme. Duhet të punojmë në thellësi e jo vetëm në sipërfaqe”, ka thënë ai.

Tutje, sipas Rashiq, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë, por nevojitet edhe dialogu fetarë ku do të mund të përfshihen peshkopi serb dhe imami kosovar. Ne do të jemi absolutisht përgjegjës në procesin e dialogut me Serbinë. Marrëveshja mund të jetë e vlefshme vetëm nëse serbët e Kosovës janë pjesë e atij dialogu. Ne mundë jemi urë komunikimi mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka shtuar ai.

“Tani jemi më larg se kurrë. Serbët e Jugut janë të gatshëm për pajtim dhe bashkëjetesë, por nuk na duhen elementet radikale. Përfaqësuesit politik të Beogradit janë radikalë sepse janë marrë me politika  radikale për 25 vjet dhe nuk mund ndryshojnë shpejt. Këtu në Kosovë radikalizmi nuk ka hapësirë”, deklaroi Rashiq.