[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Reagon Haradinaj-Stublla: Fëmijët e politikanëve s’mund ta bartin mbi supe luftën politike të prindërve



Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas sulmit ndaj djalit të politikanit Nenad Rashiq.

Sipas saj, fëmijët e politikanëve nuk mund ta bartin mbi supe luftën politike të prindërve e aq më pak atë brenda komunitetit të tyre.

“Dënoj ashpër aktin vandal të rrahjes së djalit të politikanit Nenad Rashiq që i takon komunitetit serb, pa marrë parasysh motivet. Fëmijët e politikanëve nuk mund ta bartin mbi supe luftën politike të prindërve e aq më pak atë brenda komunitetit të tyre, dhe i ftoj organet kompetente që sa më parë të zbardhin rrethanat dhe kryesit e këtij akti të shëmtuar që siç po duket – tenton asgjë më pak se minimin e përpjekjeve për mirëintegrim ndëretnik në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla gjithashtu dënoi ashpër edhe dhunën psiqike e verbale që po ndodh brenda institucionit të KQZ-së.

“Dënoj poaq ashpër dhunën psiqike e verbale, dhe ofendimet e ulëta që po ndodhin brenda institucionit të KQZ-së, me të cilat tentohet të vihet rregull i ri zgjedhor. Të gjithë ne pa dallim kemi vërejtjet tona në kodin aktual zgjedhor dhe hapësirat ligjore ekzistuese, por reforma zgjedhore që kërkojmë të gjithë nuk bëhet me ofendime personale ndaj zonjës Valdete Daka e as ndaj institucioneve, por me punë të përbashkët për reformën zgjedhore të stërvonuar dhe fuqizimit të demokracisë në Kosovë”, ka shkruar ajo.

Menu Title