.
×

Thaçi: Trepça dhe Gazivoda kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë të Kosovës



 

Thaçi në Opinion me Blendi Fevziun ka thënë se as Trepça, as Gazivoda, asnjëherë nuk do të rrezikohen dhe ato kanë qenë dhe do të jenë të Kosovës.

“Tri vite i kemi humbur me demarkacion dhe pas tre vitesh të humbura, të njëjtit njerëz e votuan atë dhe i hapëm rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se edhe Maqedonia tri dekada vuajti nga politika nacionaliste dhe populiste. Por, tashmë i bënë ndryshimet e duhura, e ndryshuan emrin e aeroportit, autostradës dhe sot po futen në NATO.

“Një marrëveshje me Serbinë, edhe pse kjo do të jetë shumë vështirë të arrihet, i hap perspektivën Kosovës dhe tërë rajonit”, ka thënë Thaçi.

“Nuk ka ndarje, nuk ka shkëmbim dhe nuk do të ketë Republikë Serbe”, ka shtuar ai. Thaçi ka thënë se e shqetëson vetëm fakti, se shumë njerëz në Prishtinë dhe Tiranë kanë folur shumë për Luginën e Preshevës, por të njëjtit njerëz, tash kur duhet të vendoset për ta, hidhen në sulme të njëpasnjëshme.

“Nuk do të mbetem viktimë e një individi në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe duhet të shkohet me vullnetin popullor, me referendum”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës ka thënë se ka deklaruar publikisht, se e mbështet idenë e shqiptarëve të Presheves, Bujanocit dhe Medvegjes për bashkim me Kosovën dhe nëse arrihet marrëveshja, SHBA-ja dhe vendet e BE-së do ta mbështesin marrëveshjen Kosovë-Serbi. “Nuk ka njeri në Kosovë që e nënshkruan një marrëveshje, pa konfirmimin e SHBA-së”, ka thënë Thaçi. /BP/