.
×

U shpallën non grata, dy diplomatët iranianë largohen nga Shqipëria



Dy diplomatët iranianë për të cilët është marrë masa e dëbimit nga Shqipëria bëhet me dije sa janë larguar ditën e djeshme.Pak ditë më parë, autoritetet shqiptare njoftuan se kanë urdhëruar dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, në një postim në Facebook.Sipas tij të dy diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, kanë zhvilluar “veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, shkruan Cakaj.

Kujtojmë se liderja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi e ka cilësuar vendimin e Shqipërisë për të dëbuar dy diplomatë iranianë si një hap të guximshëm. Përmes një postimi në “Twitter”, kreu i MEK ka shkruar se nëpërmjet këtij vendimi Shqipëria garanton sigurinë e shqiptarëve dhe të refugjatëve iranianë.

“Dëbimi nga qeveria e Shqipërisë e dy diplomatëve të regjimit iranian është një masë e guximshme dhe e admirueshme në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iranianë”, ka shkruar Maryam Rajavi.Kujtojmë që lajmin për dëbimin e diplomatëve iranianë e bëri të ditur vetë ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, i cili tha se Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast janë shpallur persona të padëshirueshëm për shkak të veprimtarisë së tyre.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria shpall persona të padëshiruar diplomatë iranianë. Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin të ishin përfshirë “në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend”.Në atë kohë, Ministria e Jashtme shqiptare saktësoi se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.