.
×

Viti akademik fillon më 6 tetor, rektori nën “hetim”



Konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” nuk është aprovuar dhe nuk dihet as data se kur do të publikohet. Mbledhja e Senatit, në të cilën është pikë e rendit të ditës, dhe ky konkurs nuk është caktuar ende. Kjo mbledhje e treta me radhë, pasi dy të tjerat u pamundësuan të mbahen nga studentët protestues, ka afat të mbahet dhe gjashtë ditë (me statut 1 tetori shënon fillimin e vitit të ri akademik).

Ndonëse ky fillimvit është shtyrë të mbahet një javë më vonë nga rektori, Ramadan Zejnullahu, që të bëhen përgatitjet për fillimin e tij, pakënaqësia e Parlamentit Studentor, një grupi të studentëve të ashtuquajtur të pavarur me zgjedhjen e rektorit, sipas zyrtarëve të lartë të Rektoratit, po stopon vazhdimin e proceseve në këtë Universitet.

Megjithëkëtë, Rektorati bënë të ditur se përfundimisht më 6 tetor do të nisë viti i ri akademik. Adem Beha, këshilltar për media i rektorit Ramadan Zejnullahu, ka thënë se protestat e studentëve do të shkaktojnë shtyrje të procesit të regjistrimit të studentëve të rinj. Por, sipas tij, nuk mund të shkaktojnë ndonjë dëm substancial, pasi që fillimi i vitit të ri akademik është planifikuar të nisë më 6 tetor. “Do të donim që ky proces të fillojë sa më shpejt, por disa studentë kanë organizuar protestë dhe kanë pamundësuar mbledhjen e Senatit, që është organi i cili merr vendime obligative, përfshirë këtu edhe regjistrimin e studentëve në ato fakultete, ku nuk është përmbushur numri”, tha ai. Beha thotë se, konkursi do të shpallet shumë shpejt, pasi që sipas tij, askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë një të riu mundësinë që të aplikojë.

“Nëse studentët kanë shqetësime, ata duhet t’i adresojnë ato në mënyrë institucionale. Ata kanë adresuar dhe e kanë drejtuar rastin në Gjykatë dhe në Agjencinë Antikorrupsion, por edhe protestojnë prapë. Do ishte mirë që me vetë faktin se i janë drejtuar rrugëve të institucioneve të presin organet e drejtësisë dhe organet që janë kompetente për të adresuar këtë çështje”, tha ai.

Beha tha se ditën e parë që merret vendimi se “rektori është shpallur i paligjshëm, siç ka thënë dhe ai (rektori) do të japim dorëheqje të parezervë, pa kushte”. Por, derisa nuk dilet me një vendim tjetër, ai tha se menaxhmenti i Rektoratit do të vazhdojë punën. “Ne duhet të ndjekim rrugën institucionale, për shkak se nuk guxojmë të krijojmë vakuum institucional edhe kaos në UP, por as të lëmë zbrazëtirë nga grupe çfarëdo qofshin ato, që të drejtojnë Universitetin jashtë hapësirës universitare”.

Ai tha se janë në konsultim për planifikimin e mbajtjes së mbledhjes së Senatit. Kryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së (KD), Shefkije Islamaj, pat deklaruar se zgjedhja e rektorit është bërë duke respektuar të gjitha procedurat ligjore të mbështetura në Rregullore dhe Statutin e Universitetit, prandaj përderisa organet kompetente nuk dalin me vendim ndryshe, ajo ka thënë se ky mbetet qëndrimi i Këshillit. Mirëpo, as dy javë, pas kërkesës së drejtuar Agjencisë Antikorrupsion nga studentët protestues, kjo Agjenci nuk ka kthyer përgjigje nëse është apo jo konflikt interesi pjesëmarrja në votimin e rektorit, si anëtar i KD-së nga ana e Blerim Kamberit, baxhanak i tij (rektorit Zjenullahu). “Rasti është në finalizim e sipër. Shumë shpejt do ta bëjmë publik për opinionin”, ka thënë për “Zërin” kreu i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, por pa caktuar një afat se kur do të jepet kjo përgjigje.

Irfan Veseli, kryetar i Parlamentit të Studentëve, ka thënë se Agjencia është vonuar me përgjigjen e saj, madje sipas tij, edhe instancat e tjera të shtetit, të cilave ju janë drejtuar studentët protestues nuk po përgjigjen. “Janë vonuar, s’kemi asnjë përgjigje. Besoj që nuk ka qenë çështje kaq e madhe, delikate”, ka thënë Veseli. Ai paralajmëron masivizim të protestave, në qoftë se Zejnullahu vazhdon të jetë rektor.

KMDLNJ: Të përkrahet rektori!

Gjatë ditës ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), duke i quajtur politike protestat e studentëve të UP-së. “Kontestimi i punës së tij ende pa e parë profesionalizmin është konspiracion i dekanëve, që janë vendosur me urdhër politik e që kanë humbur gjatë garës”, thuhet në komunikatën për media të KMDLNj-së, ku bëhet thirrje që rektori të përkrahet, pasi ka premtuar se do ta ndalë korrupsionin në këtë institucion arsimor. (Zeri)