[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vjollca Aliu: Arti im



Po të isha piktore,
vetëm sytë e tua do t’i pikturoja
e ato piktura do t’i ekspozoja në galeri,
sepse sytë flasin e pasqyrojnë ç’shpirt ke ti.

Po të isha kompozitore,
me tingujt e të qeshurës tënde
do të krijoja nota në pentagram
e do të thurja këngë për dashurinë.

Sikur t’isha arkeologe,
do të zbuloja kristalet e zemrës tënde
e të ndërtoja kështjella lumturie.

Po të isha ekonomiste,
do të bëja llogarinë e mendimeve të tua,
që të nxjerrë bilancin e netëve pa gjumë.

Matematiciente sikur të isha,
lumturinë dhe sukseset e tua
do t’i fusja në rrënjë katrore,
brengat do t’i zbrisja
e do t’i rritja dëshirat e realizuara.

Sikur të isha gjeografe,
do të shëtisja nëpër hartën e zemrës tënde
dhe të bëja piknik në atë oazë dashurie,
pa u djegur nga të nxehtit tropikal.

Arkitekte po të isha,
do të bëja një plan për kalanë e lumturisë.
Enterierin do ta bëja me margaritarë zemre,
kurse eksterierin me bardhësinë e shpirtit.
Kjo kala do të bëhej vepër arti
ku gërshetohen e bukura dhe ndjeshmëria,
ashtu si kënga dhe poezia.

Çfarëdo që të isha,
e çkado që të kisha,
s’do të ndërroja nga kjo që jam.

Jam veç një shpirt i thjeshtë,
nuk kam kurorën diademë mbi kokë,
jam e butë në shkrime shprese
se art e kam shpirtin plot.

Menu Title