.
×

Zyrtare: El Clasico do të zhvillohet më 18 dhjetor



Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës e ka konfirmuar se ndeshja mes Barcelona dhe Real Madridit, që ishte planifikuar të luhet më 26 tetor, është shtyrë më 18 dhjetor, për shkak të situatës së tensionuar në Katalonjë.

Një protestë e madhe është planifikuar të mbahet në qytetin e Barcelonës më 26 tetor – pikërisht ditën kur klubi Barcelona e kishte ndeshjen kundër rivalit më të madh, Real Madridit, në “Camp Nou”.

Tensionet në regjionin katalonas janë ndezur nga vendimi kontrovers i gjykatës spanjolle për t’i burgosur disa liderë politikë të lëvizjes për pavarësimin e Katalonjës nga Spanja dhe për rolin e tyre në referendumin e mbajtur për këtë çështje në vitin 2017.

E gjitha kjo situatë ka bërë që Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës (RFEF) ta kërkojë shtyrjen e ndeshjes, kërkesë që të dyja klubet e kanë pranuar dhe ato janë pajtuar që ndeshja të zhvillohet më 18 dhjetor.

Tani, Komiteti i Garave është pajtuar për marrëveshjen mes dy klubeve, e cila ishte arritur të hënën, dhe tani është zyrtarizuar se El Clasico do të zhvillohet më 18 dhjetor, përkundër kundërshtimit të La Ligës për këtë datë.

La Liga i dërgoi dy letra në RFEF të hënën, duke kërkuar që ndeshja të mos zhvillohet më 18 dhjetor. Në letrën e parë të dërguar nga La Liga sugjerohej që El Clasico të zhvillohej më 4 dhjetor sepse në atë ditë nuk do të zhvillohet asnjë garë tjetër, pasi që La Liga dhe RFEF e kishin lënë 4 dhjetorin e lirë në rast se do të duhej të ndryshohej orari i ndonjë ndeshjeje.

Në letrën e dytë thuhej se nëse El Clasico zhvillohet më 18 dhjetor, ajo do të bie ndesh me të drejtat televizive për Kupën e Botës së Klubeve, pasi që gjysmëfinalja e Liverpoolit do të mbahet në të njëjtën ditë.

La Liga nuk është pajtuar ende me këtë datë dhe tani pritet të shihet nëse organi i udhëhequr nga Javier Tebas do ta apelojë këtë vendim të Komitetit të Garave.